Finalja e Kupës së Ligës, Mou: Kapiten Rooney mund ta ngrejë trofeun

26/02/2017 00:00

Trajneri Jose Mourinho ka thënë se Wayne Rooney do të lejohet të ngrejë trofeun e Kupës së Ligës (EFL Capital One Cup), gjithnjë nëse Manchester United do të mposhtë Southamptonin pasditen e kësaj të diele, edhe në rast se ai nuk do të aktivizohet në ndeshjen finale.

Qëndrimi i Rooneyt në klubin anglez është vënë në dyshim gjatë javëve të fundit, me sulmuesin që ka luajtur vetëm 45 minuta gjatë muajit shkurt, ndërsa është dashur të lëshojë edhe një deklaratë, ku sqaron se nuk është duke planifikuar largimin nga “Old Trafford”.

E megjithëse Mourinho ka zyrtarizuar se 31-vjeçari nuk do të jetë në 11-shen e titullarëve, thjesht për arsye ndjeshmërie, portugezi vazhdon të respektojë rolin e Rooneyt si kapiten i skuadrës.

I pyetur nëse do ta lejojë atë të ngrejë trofeun e kupës, nëse nuk arrin të aktivizohet qoftë edhe si zëvendësues në “Wembley”, “Special One” ka konfirmuar se “ai është ende kapiteni ynë dhe, pavarësisht nëse luan apo qëndron në pankinë, ai mbetet gjithnjë kapiten. Megjithatë nuk më intereson shumë kjo çështje, pasi gjëja kryesore është që ne të fitojmë. Nëse ia dalim mbanë, nuk më intereson shumë se kush e ngre trofeun. Madje mendoj se, as ai vet nuk e vret shumë mendjen për këtë, sikurse as lojtarët e tjerë. Ne të gjithë kemi një synim, fitoren”.

Nëse United fiton sot, Mourinho do të barazonte rekordin e Sir Alex Ferguson dhe Brian Clough, duke e ngritur trofeun e Kupës së Ligës për plot 4 herë si trajner, ndërkohë që portugezi duket se mbështet deklaratat e dikurshme të Fergusonit, kur thoshte se çdo trofe i ngritur nënkupton një sezon pozitiv për një skuadër.

“Nuk mendoj se kjo ide ka ndryshuar, – thotë Mourinho. – Në Angli është bërë tejet e vështirë të fitosh një trofe, ndërkohë që në shtete të tjera është jashtëzakonisht e lehtë për ta bërë diçka të tillë nëse gjendesh në klubet e duhura”.

Top Channel