Serie A, Interi dhe Roma në duelin me “aromë” Championsi

26/02/2017 00:00

E gjithë vëmendja e futbollit italian do të fokusohet mbrëmjen e sotme në “San Siro”, aty ku do të zhvillohet supersfida mes Interit dhe Romës. Zikaltrit do të kërkojnë fitoren e tretë radhazi, duke iu kundërpërgjigjur fitores së Atalantës gjatë së shtunës, që pasi mposhti Napolin e sheh veten vetëm 3 pikë larg tyre, në vendin e fundit që të siguron një biletë për në Champions.

Verdhekuqtë, të cilët kanë grumbulluar 8 pikë më shumë sesa skuadra e drejtuar nga Pioli, kanë nga ana tjetër një rast të artë për t’u shkëputur me 5 pikë nga “të kaltrit” e Sarrit dhe për të hipotekuar vendin e dytë, e rrjedhimisht një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëne të sezonit të ardhshëm.

Pra, duke qenë se luhen fatet e Europës, në “Meazza” pritet një sfidë tejet delikate mes dy skuadrave që pak vite më parë kanë rivalizuar edhe për titullin kampion mes tyre.

Për zikaltrit ka një motiv më shumë, pas vizitës së presidentit Erick Thohir, i cili ka mbërritur nga Indonezia enkas për të qenë i pranishëm në këtë përballje, ndaj dhe duken të detyruar të fitojnë për të qëndruar në garën për një vend në Champions, por mbi të gjitha sepse në këtë betejë është përfshirë fuqishëm edhe Atalanta e Berishës.

Për Piolin do të mungojë Miranda, i skualifikuar, por rikthehet argjentinasi Icardi, i cili vjen pas dy ndeshjeve skualifikim pas kartonit të kuq të marrë në sfidën ndaj Juventusit.

Edhe për “Mauriton” është një sfidë e veçantë, pasi mes të tjerash do të ketë përballë golashënuesin më të mirë aktualisht në Serie A, Edin Dzeko, me boshnjakun që ka shënuar 19 gola, ndërsa argjentinasi është ndalur në 15 të tillë, ndërkohë që numëron edhe 8 asiste.

Përballjet e fundit në “San Siro” avantazhojnë Interin, që ka dalë triumfator në dy prej tyre, ndërsa Roma nuk e njeh fitoren që prej tetorit të vitit 2013, kur mposhtnin zikaltrit 3-0 me dygolësh të Tottit dhe gol të Florenzit.

Top Channel