Vatikan, edhe Papa Françesku me të drejta imazhi

26/02/2017 00:00

Dashuria e Zotit mund të jetë falas për këdo, por Vatikani ka njoftuar se fundi se zotëron “të drejtat e autorit” për figurën e Papa Françeskut.

E nervozuar nga përhapja e bluzave me tematika papale, nga rruzujt e borës për zbukurim apo peshqirët e duarve anembanë botës, Vatikani ka paralajmëruar se ka për qëllim “të mbrojë” imazhin e Atit të Shenjtë dhe “të ndalë situatat e jashtëligjshme që mund të zbulohen”. Gjithashtu do të mbrohet edhe emblema e çelësave të kryqëzuar të Selisë së Shenjtë.

“Sekretari i Shtetit do të ndërmarrë një mbikëqyrje sistematike me synimin për të monitoruar mënyrën sesi përdoren imazhi i Atit të Shenjtë dhe emblemat e Selisë së Shenjtë, duke ndërhyrë me masat e duhura kur të jetë e nevojshme”, thuhet në një deklaratë të Vatikanit.

Për të përforcuar këtë deklaratë, Vatikani ka punësuar një firmë ligjore globale si “Baker McKenzie” për të mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale të tij, sipas asaj që raporton “Corriere della Sera”, pa cituar burimin e këtij informacioni. Vet kompania “Baker McKenzie” nuk ka pranuar të komentojë.

Kërcënimi për ta zbatuar këtë përbën një ndryshim drastik për kishën, që prej 2.000 vitesh ka parë papët e saj të nderohen në të gjitha mënyrat, me çdo lloj flamuri, parulle apo medaljeje. Por popullariteti i Françeskut dhe lehtësia e kopjimit të imazhit të tij në epokën e internetit ka shkaktuar një keqpërdorim të stolive të tij, saqë Selia e Shenjtë është shqetësuar se po humbet kontrollin ndaj imazhit të tij.

“Të drejtat e imazhit të Papës nuk janë të ndryshme nga ato të çdo figure të shquar në botë, kështu që nuk mund të jetë surprizë që Vatikani po njofton se do të mbrojë të drejtat e saj kudo që të jetë e nevojshme”, ka thënë Nick Kounoupias, themelues i një firme konsulence për pronësinë intelektuale në Londër. “Ajo që përbën interes për t’u parë, gjithsesi, është sesa me korrektesë do të ndiqen këto të drejta, duke ditur se kush është pronari i ‘IP’-së së dikujt që shpërndan ato”.

Top Channel