SHBA, i dehuri përplas makinën me turmën, 28 të plagosur

26/02/2017 00:00

Një automjet është drejtuar për nga turma e njerëzve në paradën “Mardi Gras” të zhvilluar në qytetin amerikan të New Orleansit, duke lënë 28 persona të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje serioze.

Ngjarja ka ndodhur rreth pasdites së të shtunës, teksa njerëzit ishin mbledhur për të parë paradën “Krewe of Endymion”. Policia ka përjashtuar pistën e terrorizmit, ndërsa ka shoqëruar për të marrë në pyetje një të dyshuar, i cili pritet të akuzohet për “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.

Drejtuesi i fuoristradës u shfaq si të mos ishte në dijeni të asaj që kishte bërë, sipas një dëshmitari që ka folur për mediet lokale.

Shefi i policisë, Michael Harrison tha se 21 persona janë dërguar në spital, 5 prej të cilëve me dëmtime serioze, ndërsa 7 të plagosurit e tjerë nuk kanë pasur probleme të rënda. Mes të plagosurve është edhe një oficer policie.

Klubet shoqërore të njohura si “Krewes” organizojnë parada të ndryshme në New Orleans gjatë “Mardi Gras”.

Top Channel