Zharrëza, Peleshi: Javën e ardhshme nis dëmshpërblimi

25/02/2017 00:00

Zv.Kryeministri Niko Peleshi tha se nuk ka më arsye pse të protestohet në lidhje me lëkundjet e tokës në Zharrëz. Ai thotë se protesta e banorëve përshpejtoi procesin e nisur prej kohësh nga Qeveria për dëmshpërblimin e tyre, ndërsa shtoi se vijimi i protestave nuk ka më arsye.

“Nuk kemi pse t’i nxisim drejt një sakrifice të panevojshme. Nuk ka më pika që nuk janë adresuar nga kërkesat e banorëve. Ne si qeveri Nuk është se po prisnim këtë protestë për t’u zgjuar për këtë çështje. Këto pika janë tek raporti i grupit të punës. Këto bisedime na vlejtën për ta bërë më shpejt këtë”, tha ai.

Sipas Peleshit, puna për dëmshpërblimin e banorëve nis që nga java tjetër.

“Brenda javës së ardhshme, gjithçka që raporti ka kërkuar dhe detyruar për të gjitha institucionet do të nisë të zbatohet. Brenda javës që vjen do të vendosim për banesat që do të rezultojnë edhe pas rivlerësimit si të dëmtuara rëndë, të pabanueshme për dëmshpërblimin të plotë, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga kompania”, u shpreh ai.

Në lidhje me banesat e dëmtuara, zv.Kryeministri tha se do të bëhet ekspertizë ndërkombëtare dhe në bazë të rezultatit të kësaj ekspertize do të vendoset për dëmshpërblimin e banorëve.

Top Channel