Vazhdon protesta kundër “Velierës”: Dako, si terrroristët në Palmira

25/02/2017 00:00

Ka vijuar edhe të shtunën protesta kundër betonizimit të sheshit para Torrës Veneciane, ku Bashkia e Durrësit po investon për ndërtimin e “Velierës”, një objekt që synon të kthehet në simbolin modern të qytetit bregdetar.

Protestës i janë bashkuar edhe këshilltarët demokratë të Bashkisë së Durrësit.

“Dako, më keq se Neroni. Vetëm në Palmira terroristët dhe Dako në Durrës po shkatërrojnë qytetin dhe vlerat arkeologjike të tij. Po mbledhim firmat për të ndaluar punimet në zonën arkeologjike A, për të ndalur këtë masakër në mes të Durrësit”, deklaroi këshilltari i djathtë Ardian Muka.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Administrative, urdhërit të Përmbarimit dhe vendimit të KLSH-së, protestuesit thanë se Bashkia e Durrësit po vijon punimet duke sfiduar hapur vendimet e institucioneve dhe protestën qytetare në mbrojtje të nëntokës durrsake.

Më pas protesta u zhvendos para bashkisë së qytetit me premtimin se do të vazhdojë deri në bllokimin e punimeve në shesh dhe ndryshimin e projektit në mbrojtje të zonës arkeologjike A nga institucionet dhe specialistët.

Top Channel