Vrasësja e Kim Jong nam u pagua vetëm 90 dollarë

25/02/2017 00:00

Gruaja indoneziane e arrestuar për vrasjen e gjysmëvëllait të liderit koreano-verior ka deklaruar se ishte paguar 90 dollarë amerikanë për të kryer aktin.

Autoritetet indoneziane vizituan në qeli 25-vjeçaren Siti Aisyah, e cila po mbahet në një burg të Kuala Lumpurit. Ajo u tha atyre se paratë i ishin dhënë për të hedhur në fytyrën e Kim Jong nam “vaj fëmijësh”, për t’i bërë atij një shaka.

Por testet mjekësore treguan se, Kim u vra me një gaz nervin të tipit VX, i konsideruar si armë e shkatërrimit në masë nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, vijojnë pyetjet se kush mund të fshihet prapa vrasjes. Dyshimet më të mëdha bien mbi regjimin e Koresë së Veriut, i cili nga ana e tij mohon çdo përgjegjësi.

Ndërkohë, veç 25-vjeçares Aisyah janë ndaluar edhe një grua vietnameze dhe një burrë koreano-verior, ndërsa 7 të dyshuar të tjerë janë në kërkim nga policia.

Kim Jong nam, vëllai nga babai i Kim Jong un, ishte kthyer në një nga kritikët më të rëndësishëm të regjimit të Penianit, duke vënë në diskutim politikat autoritare dhe transferimin e pushtetit nga gjyshi i tij tek pasardhësit, që nisi në vitin 1948.

Top Channel