Dekriminalizimi, Meta mesazh Ramës

25/02/2017 00:00

Ilir Meta tha se partia qe ai drejton është për stabilitet dhe jo konfliktualitet. Nga Berati, ku LSI kërkon të dalë forcë e parë, Meta tha se theksonte rëndësinë e jashtëzakonshme që ka forcimi i dialogut politik në vend, në radhë të parë në Parlament.

Kjo, për të vijuar me axhendën e reformave dhe mbi të gjitha dialogun për të mbyllur sa më shpejt Reformën Zgjedhore dhe për të garantuar një klimë mirëbesimi për zgjedhjet e 18 qershorit.

Meta ishte më pranë shqetësimeve të artikuluara nga çadra e protestës kur tha se rezultati që Shqipëria do të marrë përsa i takon zgjedhjeve të 18 qershorit do të jetë përcaktues për hapjen e negociatave dhe për ecurinë e suksesshme të Reformës në Drejtësi.

Po me kë është LSI? Meta e ka një përgjigjje për ata që bëjnë këtë pyetje.

“Në këto momente tensionimi dëgjohen shpesh ata që thonë se nuk po e marrim vesh me kë është LSI. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë, se nuk arrijnë ta kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë, apo për ata që janë viktimë e atij stereotipit 26-vjeçar bardhezi të politikës, u them që LSI është një forcë drejt kauzave të zgjedhjeve të lira, të listave të hapura”, tha Meta.

Nga Berati Meta kishte edhe një mesazh dukshëm për bashkëkryetarin e koalicionit të mazhorancës, megjithëse nuk e përmendi emrin e tij.

“Të gjithë politikanët që duan të kontribuojnë për reformë në drejtësi të suksesshme duhet të mbështesin fuqimisht zbatimin e dekriminalizimit, duhet të ndërpresin çdolloj komunikimi me elementë kriminalë, pasi çdo marrëdhënie e tillë i bën ata të jenë peng i elementëve të tillë dhe të mos jenë në gjendje që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të ndershëm”, tha kreu i LSI-së.

Top Channel