Pasi mori premtimin e BDI-së se do ta mbështesë në Parlament qeverinë e re, LSDM-ja e Zoran Zaev është vënë në lëvizje për ngritjen e kabinetit të ri.

Hapi i parë ka qenë mbledhje e Kryesisë Qendrore të kësaj partie, ku Zaev ka marrë votën unanime për t’u mandatuar si Kryeministër i ri i vendit.

Ndërkaq kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti gjatë mbledhejs së Kryesisë të premten, ka parashtruar mundësinë që BDI-ja të mbetet në opozitë.

Pas mbledhjes Bashkimi Demokratik për Integrim votoi për t’i dhënë mbështetjen krijimit të qeverisë nga Zoran Zaev, por kjo sipas zëdhënësit Bujar Osmani nuk do të thotë se kanë vendosur të bëjnë koalicion me LSDM-në.

“BDI po shqyrton mundësinë që t’i japë mbështetje qeverisë së re, por pa u bërë pjesë e saj. Qëllimi ynë është realizimi i programit”, ka thënë ai për gazetarët.

Njoftimet për arritjen e marrëveshjes për gjuhën shqipe kanë nxitur reagime të shumta, në veçanti nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, e cila ka paralajmëruar kundërshtimin e një zgjidhjeje të tillë me të gjitha format e mundshme. Gruevski vlerëson se LSDM-ja dhe Zoran Zaev duan t’i defaktorizojnë maqedonasit në këtë shtet.

Dy partitë e tjera shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë shprehur mbështjen për qeverinë e kryesuar nga LSDM-ja dhe thonë se do të negociojnë për një koalicion të mundshëm me të vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre.

Top Channel