Gjyqtarë maltezë në Supërligë

25/02/2017 00:00

Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, në këtë javë të 23-të të Superligës dhe të kategorisë së parë do të gjykojnë gjyqtarë maltezë në dy ndeshje, Tirana-Flamurtari dhe derbin e Myzeqesë, Apollonia-Lushnja në kategorinë e parë.

Marrëveshja e shkëmbimit të gjyqtarëve, e kërkuar nga Federata Malteze, nuk prëfshin arbitrat ndërkombëtarë, por të rinjtë që aspirojnë dhe ata që janë drejt fundit të karrierës, por që nuk e kanë patur këtë mundësi.

Sektori i Gjykimit në vendin tonë ka qenë në shënjestër kohët e fundit për gabimet e bëra, por sipas shefit të gjykimit në FSHF, Sokol Jareci, niveli i tyre është shumë i mirë.

“Mund t’ju them vetëm një fakt, që një nga gjyqtarët e Maltës është në kategorinë e parë të UEFA-s, gjë që ne nuk e kemi. Një tjetër është në vazon e dytë, aty ku është edhe arbitri ynë më i mirë, Enea Jorgji. Kjo tregn se niveli i gjykimit të tyre është në një rritje të dukshme”, deklaron Jareci.

Megjithatë, niveli i futbollit maltez, por edhe i gjykimit nuk është ndër ato që vendi ynë mund të përfitojë njësoj si të ishin gjyqtarë të shteteve më të mëdha. Por duket se kjo marrëveshje e parë do të pasohet nga disa të tjera me shtete më të mëdha.

“Ne nuk mund të kemi marrëveshje me shtete të mëdha, si Italia apo Spanja, sepse niveli i gjykimit dhe i futbollit të tyre është shumë më i lartë nga ne. Shumë shpejt do të mbyllim marrëveshje me Slloveninë dhe Austrinë. Për të tjerat që janë vende më të mëdha ndoshta në të ardhmen, ku i dihet”, thotë Jareci.

Ndërkohë, nga Sektori i Gjykimit shqiptar në Premier Ligën e Maltës gjykon Kridens Meta, ndërsa në divisionin e parë Juxhin Xhaja.

Top Channel