Mollët bëhen uthull, zgjidhja e fermerëve të Korçës

25/02/2017 00:00

Llazo Dudo është një 70 vjeçar nga Polena, i cili prej disa vitesh prodhon uthullën e mollës. Ai tregon se fillimisht kjo ide i erdhi nga nevoja për të gjetur një zgjidhje, pasi mollët e kultivuara i mbeteshin stok.

Dudo thotë se, vit pas viti e ka rritur sasinë e prodhimit të uthullës, por tregu është ende i pakët.

“Uthullën e kemi dëgjuar nga mjekët që është e dobishme për shumë sëmundje. Ne kemi mollë. Ato pak që prishen ne i hidhnim, por tani kam nja tre vjet që i grij, i hedhim në butet e rrushit, i fermentojmë. Puna e vështirë fillon me kullimin e përzjerjes. Ekemi mësuar nga përvoja. Si uthulla e rrushit edhe kjo e mollës e do  mushicën t’i hyjë brenda”, tregon Dudo.

Prodhimi i uthullës së mollës në mënyrë artizanale është një traditë e re që po rritet vit pas viti në rajonin e Korçës. Përveç kultivuesve të mollës që e kanë nisur këtë si një nismë individuale si Llazo, ka edhe fabrika që prodhojnë mijëra litra uthull molle në një javë.

Me një kërkim të thjeshtë në internet gjen mijëra alternativa të përdorimit të uthullës së mollës përvec asaj në sallata, që nga pirja e deri te pastrimi i shtëpisë.

Ekzistojnë po ashtu me dhjetëra studime që e lidhin uthullën e mollës me dietat për dobësim apo uljen e sheqerit në gjak, pastrimin e flokëve e të dhëmbëve, me efekte të mira për shëndetin, shprehen studiuesit, nëse përdorimi është korrekt dhe nuk teprohet.

Top Channel