Zharrëza, Bashkia e Patosit: Po përfundon vlerësimi i dëmeve

25/02/2017 00:00

Sipas kryetares së Bashkisë së Patosit, njësia administrative të cilës i përket dhe fshati Zharrëz, komisionet shtetërore për verifikimin e dëmeve kanë përfunduar vlerësimet për shumicën e shtëpive të prekura.

Rajmonda Balilaj thotë se kompensimi i dëmeve do të bëhet menjëherë pas përfudimit të procedurave.

“Mbas përfundimit të vlerësimit të dëmeve dhe me miratimin bashkiak, Bashkia Patos dhe Emergjencat Civile do t’ia paraqesë këto dosje qeverisë për të nisur procesin e dëmshpërblimit dhe kompensimit të të gjithë banorëve për banesat e dëmtuara”, ka deklaruar Balilaj.

Sipas kryetares së bashkisë, fondet duhet të jenë të plota, ndërkohë që grevistët janë njohur me të gjithë hapat e ndjekur.

“Nëse grevistët do të kishin dëgjuar më shumë atë çka është shkruar dhe do kishin durimin për të përfunduar gjithë procesin që së bashku miratuam, ndoshta nuk do të ndodhnin këto fenomene, që mund të shfrytëzohen nga prapavija politike”, ka shtuar Balilaj.

Top Channel