Edhe pse u mendua se Maqedonia lëvizi një hap para drejt krijimit të qeverisë, me kreun social demokrat që njoftoi ujdinë me partitë shqiptare, deklaratat që vijnë nga ky vend janë kontradiktore.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha të premten se kishte siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të partive politike shqiptare për të marrë mandatin nga presidenti për krijimin e qeverisë së re.

Ai pretendon se ka harmonizuar qëndrimet me partitë politike shqiptare, përfshirë edhe për ligjin për gjuhën shqipe. Sipas tij ka mbetur që të diskutohet me kryetarët e partive të tjera për ndarjen e dikastereve ministrore dhe kuadrin që do të jetë pjesë e qeverisë së re qe siç thotë kreu i LSDM-së do të vijë në pushtet në muajin mars.

Ndërkaq kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka parashtruar mundësinë që BDI-ja të mbetet në opozitë gjate mbledhjes së kryesisë të premten.

Pas mbledhjes Bashkimi Demokratik për Integrim votoi për t’i dhënë mbështetjen krijimit të qeverisë nga Zoran Zaev, por kjo sipas zëdhënësit Bujar Osmani nuk do të thotë se kanë vendosur të bëjnë koalicion me LSDM-në. “Qëllimi ynë është realizimi i programit”, ka thënë ai për gazetarët.

Njoftimet për arritjen e marrëveshjes për gjuhën shqipe kanë nxitur reagime të shumta, në veçanti nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, e cila ka paralajmëruar kundërshtimin e një zgjidhjeje të tillë me të gjitha format e mundshme. Gruevski vlerëson se LSDM-ja dhe Zoran Zaev duan t’i defaktorizojnë maqedonasit në këtë shtet.

Dy partitë e tjera shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë shprehur mbështjen për qeverinë e kryesuar nga LSDM-ja dhe thonë se do të negociojnë për një koalicion të mundshëm me të vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre.

Top Channel