Rama: Ku je Vangjel? Mos rri në çadër, voto vettingun

25/02/2017 00:00

Nga Saranda, gjatë një takimi me minoritetin grek, kryeministri Edi Rama ka prezantuar ligjin e ri për pakicat që tashmë është gati për të shkuar në Kuvend.

Ndërsa vlerësoi çështjen e pronave si më problematiken, si për minoritetet ashtu dhe për të gjithë shqiptarët, kreu i qeverisë tha se faji për mbivendosjet, spostimet e trojeve, apo konfliktet është i gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

“Nëse nuk duam që të vazhdojmë të shohim si na grabiten pronat, duhet të fillojmë zbatimin e reformës në drejtësi nga vettingu. Mbivendosjet, spostimet, konfliktet, ngatërresat i krijuan këta, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”, deklaroi Rama.

Nuk mungoi me këtë rast një mesazh i personalizuar për ish-aleatin e tij, tani bashkuar me kundërshtarët.

“Vettingu për shqiptarët dhe minoritarët është e njëjta nevojë dramatike e të sotmes. A më thoni dot çfarë bën Vangjel Dule në çadër? Më thoni dot pse nuk vjen të votojë vettingun?”, u shpreh Rama.

Më herët, nga Vlora, mesazhi i kryeministrit për vonesat dhe pengesat që po i bëhen reformës në drejtësi ishte edhe më direkt.

“Në një sistem ku e drejta është një mall ku blihet në gjykatë, siç blen domatet dhe kastravecat në Pazar, nuk ka te ardhme. Kjo është baza e shtetit dhe prandaj lufta që po bëhet për të mos lejuar për të mos bërë shtet është kaq e egër, një rezistencë kaq e madhe e atyre që në 25 vjet kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh”, tha Rama.

Top Channel