Markatat ushqimore, Peleshi: Partneritet urban-rural

25/02/2017 00:00

Zv.kryeministri Niko Peleshi u ka kërkuar bashkive të nxitojnë me projektin e Markatave Ushqimore, të lançuar nga qeveria shqiptare.

“Dua të inkurajoj Kryetarët e Bashkive të hartojnë sa më shpejt projektet dhe të aplikojnë pranë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Sjell në vëmendje reformën territoriale administrative, sepse tani na jepet mundësia që përmes Bashkive të mëdha, që nuk kanë vetëm profil urban por administrojnë dhe fshatra të këmi një këndvështrim më të gjërë të dinamikës së zhvillimit, të këmi një mundësi më të mirë për të afruar fshatin me qytetin jo në kuptimin e vjetër të fjalës por në kuptimin e ri të partneritetit urban-rural, sjelljen pranë tregut të gjithë zonës së prodhimit”, tha Peleshi.

Ky projekt konsiston në ndërtimin e qendrave të përbashkëta të shërbimeve ushqimore, me sipërfaqë kryesisht nga 2000 – 4000 m2 secila dhe me kapacitet nga 200 deri në 400 sipërmarrje ekonomike secila.

Në këto markata do të mund të ndërthuren dhe zhvillohen deri në 10 shërbime paralele, nga shitja dhe tregtimi i produkteve ushqimore dhe bujqësore, e deri në shërbimet e paketimit, ambalazhimit, marketimi, ndërlidhjes etj, të cilat do të mund të krijojnë produkte të reja si dhe një potencial të ri të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, sidomos për zonat më pak të favorizuara.

Menaxhimi i Markatave do të bëhet nga vetë Bashkitë ose drejtpërdrejtë ose me kontraktim privat për të siguruar eficiencë dhe shfrytëzim maksimal të burimeve, për më tepër përfitime për Bashkitë dhe sipërmarrësit.

Markata e Tiranës dhe ajo e Fierit janë duke u ndërtuar për të vazhduar më pas me atë të Durrësit, Elbasanit, Vlorës dhe çdo bashkie tjetër e cila do të jetë e interesuar.

Top Channel