Basha, thirrje për “luftë”; OJQ-të mbledhin firma për peticionin

25/02/2017 00:00

Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e saj të 8-të dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha shprehet i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje me këtë qeveri.

“Nuk ka e nuk ka për të patur zgjedhje fasadë në këtë vend. PD dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar, zgjedhje për të kaluar radhën, fasadë, me këtë kryeministër, me këtë qeveri nuk ka për të pasur”, tha Basha.

Ai shprehu vendosmërinë për të përmbysur këtë qeveri, duke thënë se ky është fundi i misionit të tyre, “të varrosin republikën e vjetër”.

“Misioni ynë përfundon vetëm kur të kemi varrosur republikën e vjetër e të kemi vendosur republikën e re të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të ketë më kompromis me të drejtat themelore të qytetarëve, nuk do të lejojmë pazare të ndyra politike mes partive politike në shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Unë jam këtu për tu premtuar se kjo nuk do të ndodhë më. Se interesat e kësaj lëvizje popullore, kombëtare, demokratike, janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi PD, përfshi Lulzim Bashën sepse janë interesat tuaja, të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Le tu kujtojmë këtë mëngjes të 8-të të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohur dhe hapi rrugë një qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha kreu i PD-së.

Basha vijoi më tej duke thënë se opozita nuk do të kthehet në Parlament, pasi sipas tij është “parlamenti i krimit, ku janë ulur kriminelët dhe e kanë vendin ata që i sollën aty”.

Por ndërsa Lulzim Basha i kërkonte demokratëve që së bashku të jenë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo zgjedhje fasadë, vetëm pak metra më tutje një grup të rinjsh nga shoqëria civile nisën mbledhjen e firmave për peticionin që mbështet reformën në drejtësi dhe Vettingun, në një kohë kur java e ardhshme konsiderohet vendimtare për ngritjen e institucioneve.

Organizatorët nga 50 shoqatat më në zë të shoqërisë civile thonë se grupe të tilla janë krijuar në disa qytete të vendit, ku firmat do të mblidhen deri të dielën e ardhshme, me apelin drejtuar politikës, që të shpejtojë me zbatimin e ligjit të Vettingut.

Ky grup është ngritur në Elbasan, ku profesorë të së drejtës dhe përfaqësues të shoqërisë civile po informojnë qytetarët rreth reformës në drejtësi.

“Ne synojmë të sensibilizojmë qytetarët në lidhje me reformën në drejtësi, duke i informuar në mënyrën sa më të thjeshtë të mundur. Gjithashtu duam të ftojmë të gjithë deputetët që e kanë votuar këtë modifikim kushtetues tashmë ta bëjnë atë sa më parë të zbatueshme”, deklaroi Robert Gajda, profesor i së Drejtës.

Top Channel