Tahiri takon De Maiziere: Reduktohet numri i azilkërkuesve shqiptarë

25/02/2017 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është takuar në Berlin me homologun e tij gjerman, Thomas de Maiziere.

Temë e bisedës mes homologëve, që takohen për herë të dytë në Berlin, veç 2 vizitave të ministrit gjerman në Tiranë, ishte edhe bashkëpunimi i frytshëm në fushën e migracionit.

Ministir i Brendshëm gjerman tha se shifrat e azilkërkuesve janë reduktuar falë bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve.

“Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil. Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë. 

Ministri Tahiri tha pas takimit se prioritet mbetet krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si një ndër prioritetet kyç në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Diskutuam për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha ministri i Brendshëm Tahiri.

Top Channel