BDI voton pro Zaev-it. Akoma nuk ka marrëveshje për koalicionin

25/02/2017 00:00

Bashkimi Demokratik për Integrim, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore, në selinë e saj në Reçicë të Vogël, ka votuar pro mbështetjes së LSDM-së për formimin e qeverisë.

Pas një debati disa orësh, kryesia qendrore e BDI-së vendosi që t’i japë firmat e 10 deputetëve të saj,  kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, si mandatar për krijimin e kabinetit të ri të qeverisë maqedonase.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha pas mbledhjes se fakti që vendosën të japin nënshkrimet nuk do të thotë se ka një marrëveshje për koalicion qeveritar dhe se bisedimet do të vazhdojnë pas kësaj me LSDM-në.

Ai  tha se alternativë tjetër mbetet mundësia për të qëndruar në opozitë, sepse qëllimi i BDI është realizimi i programit dhe jo pjesëmarrja me çdo kusht në qeveri.

Ndër kushtet që BDI i ka vënë mandatarit të ardhshëm  përcakton si të panegociueshme përdorimin e barabartë zyrtar të  gjuhës shqipe në Maqedoni.

Pak ditë më parë,  pas takimit me kryetarin i BDI-së Ali Ahmeti, kreu i i LSDM, Zoran Zaev paralajmëroi se ishte në prag të  arritjes së koalicionit me shqiptarët.

“Ne jemi të afërt dhe kjo është një mundësi unike, që t’i largojmë disa paragjykime pas këtyre 25 viteve”, deklaroi ai.

Top Channel