Francë, një gjykatës për të hetuar kandidatin Fillon

24/02/2017 00:00

Fushata për zgjedhjet presidenciale franceze merr një kthesë edhe më dramatike, pas akuzave për korrupsion që vënë në shënjestër kandidatët kryesorë të saj.

Shpresat e kandidatit republikan Francois Fillon për të fituar zgjedhjet morën një tjetër goditje të premten, pasi prokurorët francezë emëruan një gjyqtar që do të nisë hetimet kundër tij.

Ai akuzohet se ka paguar bashkëshorten dhe fëmijët për punë fiktive. Duke përfshirë një gjykatës në atë që deri tani ishte hetim paraprak, prokurori shton burimet e hetimit.

Deri vonë, Fillon ishte favoriti për të fituar zgjedhjet që do të zhvillohen në dy raunde, në prill dhe maj, por tani po përballet me trysni në rritje për t’u tërhequr nga gara. Sondazhet e fundit sugjerojnë se republikani qëndron shumë prapa udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ndërsa gjendet kokë më kokë me kandidatin e pavarur të qendrës, Emanuel Macron.

E përjavshmja satirike “Le Canard Enchaine” ishte ajo që publikoi skandalin, duke pretenduar se bashkëshortja e Fillon, Penelope ishte paguar me mijëra euro për një punë që mund të mos e kishte kryer.

Sipas çiftit, gruaja ka qenë e punësuar në mënyrë të ligjshme, si asistentja parlamentare e Fillon. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendimet për pagesën e dy fëmijëve të çiftit me më shumë se 80 mijë euro, kur babai i tyre ishte senator në vitet 2005 dhe 2007. Edhe Marine Le Pen është vënë në qendër të akuzave se ka paguar me fondet e Parlamentit Europian dy bashkëpunëtorë të ngushtë të saj.

Top Channel