Grevistët pranë Tiranës; nata në Vorë, të shtunën para MEI-t

24/02/2017 00:00

Kanë përshkruar tashmë 114 km në këmbë. Mbrëmja e së premtes i gjeti në Vorë, atje ku ngritën 10 çadra për të kaluar natën.

Banorët e Vorës u solidarizuan, duke iu ofruar darkën, një pjatë supë, pilaf dhe patate. Të ftohtin e mbrëmjes e sfidojnë duke ndezur zjarr, të paktën për disa minuta, pa nisur shiu.

Janë të lodhur, të sfilitur por të palëkundur nga kërkesat e tyre. Disa nuk presin darkën, pasi gjumi i këput në çadra, të cilat nesër do të ngrihen përpara Ministrisë së Energjitikës.

Qani Rredhi është 62 vjeç, banor i Zharrëzës. Si një prej nismëtarëve të marshimit, ai thotë se grevën e urisë do ta vazhdojnë në Tiranë.

“Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona. Ne kërkojmë dëmshpërblimin e shtëpive në masën 100 për qind dhe rehabilitim të ambjentit, sepse fëmijët tanë janë me karbon në gjak. Ne do t’i kthehemi grevës së urisë, s’kemi kthim mbrapa, unë do të vetëflijohem atje”, thotë Rredhi.

“Kërkojmë të na paguajnë qind për qind. O ne, o ata”, thotë Ermino Hamzai.

Iu kanë mbetur vetëm 14 km për të ecur sërish në këmbë, ku mesdita e së shtunës i gjen në hyrje të Tiranës, atje ku organizatorët i bëjnë thirrje shoqërisë civile dhe qytetarëve t’i bashkohen për kauzën e tyre.

“I bëj thirrje të gjithë aktivistëve të shoqërisë civile, intelektualëve dhe qytetarëve të thjeshtë që të dalin në mbështetje, për ta kthyer këtë protestë në një histori suksesi për të drejtën e tyre”, tha Adriatik Llapaj, organizator i protestës.

Top Channel