Roli i gruas në shoqëri ishte kryefjala e koleksioneve “Vjeshtë-Dimër 2017-2018” të Pradës dhe Moschinos në javën e modës në Milano.

Miucca Prada, themeluese dhe drejtore kreative e shtëpisë së modës, solli në pasarelë dizajne të buta dhe të forta, me modelet që kishin veshur pantallona kadifeje, bereta motoçiklistesh dhe funde të gjata, që risillnin në kujtesë protestat e grave gjatë viteve ’70.

Sfondi, nën të cilin u prezantuan krijimet, ngjante si një shtëpi e mbushur me karrige të rehatshme, shtretër me lule, e postera nëpër mure.

Modelet parakaluan në pasarelë nën ritmet e muzikës elektronike, disa prej të cilave me kapele leshi, kostume të kafta dhe pallto. Ndërsa fillimisht vëreheshin elementë e aksesorë që i bënin ato të dukeshin të forta, më vonë u shfaqën stile më femërore ku dominonin terminat, ngjyrat e puplat.

Plot karakter ishin edhe modelet e Moschinos, i njohur për stilin e guximshëm e inovativ. Shtëpia e modës kishte përdorur gjithçka për krijimet e saj: copëra tapicerie, perde dushi e materiale të ricikluara.

Shfaqja nisi me modele që mbanin veshje bezhë, pardesy dhe fustane që i ngjanin letrave e kutive të paketimit. Më pas pasarela u pushtua nga krijime shumëngjyrëshe të frymëzuara nga moda e rrugës së viteve ’80.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel