Ish-presidenti kroat viziton FFK-në. Mbështetje futbollit kosovar

24/02/2017 00:00

Kroacia mbetet një prej mbështetëseve më të mëdha të futbollit të Kosovës, e këtë e ritheksoi edhe këtë fundjavë Stipe Mesiç, ish-presidenti i vendit “dalmat” dhe një personazh me ndikim në rajon.

Në një vizitë të zhvilluar në Federatën Kosovare të Futbollit, presidenti Vokrri e njohu Mesiç me hapat e parë të pavarësisë së futbollit të Kosovës që nga viti 1991, si dhe rrugëtimin plot sakrifica deri në pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

FFK kërkoi mbështetje dhe për kampionatet e Kosovës, ekipet përfaqësuese, si dhe për strukturën organizative.

“Jam i lumtur që takova presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri, i cili më njohu me të gjitha zhvillimet e futbollit të Kosovës. Ju keni luajtur nëpër fusha të improvizuara, por vullneti juaj ka bërë që sot të keni edhe ekipe përfaqësuese dhe të gjitha të tjerat, siç i kanë edhe shtetet e tjera. Me Vokrrin jemi takuar edhe dikur në Beograd, unë në një funksion tjetër, e ai në një funksion tjetër. Por gjithmonë ishte kënaqësi”, tha kroati Mesiç.

Top Channel