Nga Serie B në “Allianz Arena”, 1.000 pankina për Carlo Ancelottin

24/02/2017 00:00

Që nga debutimi në Serinë B me Reggio Emilian në vitin 1995, e deri te sfida e kësaj të shtune ndaj Hamburgut në “Allianz Arena”. Ishte një udhëtim i gjatë plot 1.000 pankina, ai i trajnerit italian Carlo Ancelotti, një prej emrave më të vlerësuar në stol në futbollin botëror.

E ardhmja është skuadra bavareze dhe pikërisht me të, Carletto kërkon të fitojë Bundesligën dhe Championsin, teksa në këtë të fundit dështoi paraardhësi i tij te Bayern Munchen. Me një të kaluar edhe te Parma, Juve, Milan, Chelsea, PSG dhe Real Madrid, tekniku italian ka triumfuar thuajse kudo, me arritjet e tij më të mëdha në panoramën europiane.

18 trofetë e fituara, mes të cilave edhe 3 trofe Championsi, janë një rekord që Carlo Ancelotti e ndan me një tjetër legjendë, si ish-trajneri i Liverpoolit, Bob Paisley. Në karrierën prej dy dekadash, përqindja e fitoreve të Carlettos erdhi gjithnjë duke u rritur, nga 41% me Reggianën, e deri 75% te pankina e Bayern Munchen.

Në vitet me Milanin spikat triumfi në Champions League në vitin 2003, në finalen me penallti ndaj Juventusit, si dhe hakmarrja në 2007-n ndaj Liverpoolit. Asokohe ndaj angelzëve, Ancelotti u imponua 2-1 falë dygolëshit të Inzaghit, por po kaq krenari është edhe “La Decima”, kupa e dhjetë e Realit të Madridit në histori, po me italianin në stol. 590 fitore në 999 ndeshje, të shtunën është gati fitorja e 1.000-të dhe festa e programuar me birrë bavareze.

Top Channel