Hakmarrja e Trump, përjashton disa media nga Shtëpia e Bardhë

24/02/2017 00:00

Vetëm pak pasi presidenti Donald Trump premtoi se do të bënte diçka ndaj medieve “dinake”, të cilat i quajti sërish si “armike” të popullit amerikan, CNN njoftoi se ishte ndaluar të hynte në seancën informuese të Shtëpisë së Bardhë të kësaj të premteje.

Sipas CNN, edhe “New York Times”, “Los Angeles Times” dhe “Politico” janë penguar të futen në Shtëpinë e Bardhë, duke mos iu dhënë asnjë argument për këtë zgjedhje, përveçse “nuk ishin në listë” për informimet jashtë kamerave.

“Breitbart”, “Fox News”, “Washington Times” dhe “One America News Network” ishin mes atyre që iu lejua hyrja, raporton CNN.

Mbledhja e sotme përpara kamerave ishte e ndryshme, e udhëhequr nga Sekretari i Shtypit, Sean Spicer, e që nuk ishte parashikuar të ndodhte sot. Në fakt, nuk është e pazakontë që të hiqet dorë nga informimi përpara kamerave në ditët kur vet presidenti i Shteteve të Bashkuara jep një fjalim të rëndësishëm, siç ndodhi mëngjesin e sotëm në “CPAC”, konferencën e aktivistëve konservatorë.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ka protestuar ndaj kësaj lëvizjeje, ndërsa disa media si “Associated Press” dhe revista “Time” njoftuan bojkotimin e seancës informuese.

Top Channel