Skënderbeu në provën shkodrane, Daja: Vetëm për 3 pikët

24/02/2017 00:00

Të shtunën në mbrëmje kryesimi i Kategorisë Superiore mund të ketë një emër të ri në fron me Skënderbeun që edhe pse përkohësisht synon të shfrytëzojë mundësinë për të parakaluar Kukësin.

Skuadra korçare do të luajë në një transfertë të vështirë në Loro Borici ndaj Vllaznisë, ndeshje  e përfolur si potencial trukimi, por të cilën trajneri Daja, beson se do ta fitojnë në fushë dhe jo përmes aleancave.

“E njëjta gjë u përfol edhe përpara ndeshjes me Laçin që do të toleronim në kupë. Kjo nuk është pjesë e filozofisë së Skënderbeut. Treguam që luajtëm ndershëm dhe merituam kualifikimin. Besoj se kemi kontigjentin e duhur për të luftuar në të gjitha frontet”, thotë Daja.

Tekniku i kampionëve në fuqi të Superiores, tha se Skënderbeu po paragjykohet për rezultatet, ashtu si në sfidën ndaj Laçit, por edhe pse Vllaznia është ekip i fortë, kundërshtari është analizuar dhe synimi janë vetëm 3 pikët.

“Për ne do të ishte kryesorja marrja e tri pikëve në Shkodër, sepse nëse ne nuk do të bëjmë detyrën tonë, nuk presim që të gabojnë rivalët. Do të shohim rivalët pasi të bëjmë detyrën tonë. Kështu që të gjitha energjitë psiko-fizike do të jenë në ndeshjen kundër Vllaznisë për të parë më pas se çfarë do të bëjnë rivalët tanë”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.

Aktualisht Kukësi kryeson renditjen me dy pikë më shumë se Skënderbeu dhe një fitore të shtunën e korçarëve do t’u jepte vendin e parë në pritje të ndeshjes së veri-lindorëve të dielën ndaj Partizanit.

Top Channel