Çdo ditë nga Shqipëria largohet një mjek për të punuar në vendet perëndimore.

“Janë shumë elementë që po na çojnë në një ulje galopante të mjekëve në vendin tonë, ulje për të cilën unë duhet të jap alarmin pasi brenda një 5-vjeçari sistemi shëndetësor shqiptar do të jetë në një kolaps të vërtetë”, deklaron doktor Tritan Shehu.

Urdhëri i Mjekut, ku bluzat e bardha që largohen tërheqin çertifikatën e sjelljes së mirë thotë se po barazohet numri i mjekëve që largohen me ata që diplomohen, duke futur këtu edhe ata që dalin në pension.

“Vitin e kaluar u larguan 156 mjekë, kur Fakulteti i Mjekësisë diplomoi 244, prej të cilëve 34 janë të specializuar. Zënë vendin e parë reanimatorët-anestezistë, obsetër-gjinekologët, kardiologët, ortopedët”, sqaron doktor Fatmir Brahimaj, drejtor i Urdhërit të Mjekut.

Mjekët thonë se largohen për karrierë dhe se opinioni për bluzat e bardha në Shqipëri është i njollosur, ndonëse situata disi ka ndryshuar.

“Rroga është shkaku kryesor, janë të pakëta. Pastaj theksojnë se vuajnë tërësisht krizën e besimit midis publikut dhe bluzave të bardha. Tregojnë Kodin Penal që i kërcënon në çdo moment”, thotë Brahimaj.

“Është edhe një element tjetër, tendenca për të inkriminuar mjekët nga ana ligjore, absolutisht e tejkaluar në dimensionet e saj”, shton nga ana tjetër Shehu.

Shehu dhe Brahimaj thonë se duhet rritur numri i mjekëve që specializohen.

Top Channel