Peticion pro Vettingut. 50 grupe të shoqërisë civile mbledhin firmat

24/02/2017 00:00

Nga e shtuna nis mbledhja e firmave për një peticion që mbështet reformën në drejtësi dhe Vettingun, në një kohë kur java e ardhshme konsiderohet vendimtare për ngritjen e institucioneve.

50 organizatat më në zë të shoqërisë civile janë bërë bashkë në këtë nismë dhe i kanë nisur një letër krerëve të politikës shqiptare dhe ambasadave më të rëndësishme në vend.

Me në krye fondacionin Soros, shoqëria civile i apelon politikës që të shpejtojë me zbatimin e ligjit të Vettingut, pasi është kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Organizatat kërkojnë që të mos ngatërrohen axhendat partiake dhe llogaritë zgjedhore me prioritetin strategjik, rrugëtimin europian të vendit.

Duke qenë se më shumë se 90% e qytetarëve duan zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi, shoqëria civile i kërkon politikës që të tregojë përgjegjshmëri dhe integritet.

Firmëtarët e kësaj nisme thonë se qytetarët e Shqipërisë meritojmë një sistem gjyqësor profesional, të pakorruptuar dhe të pavarur. Ndreqja e këtij sistemi fillon me procesin e vettingut.

Në krye të peticionit që do të firmoset nga qytetarët i kërkohet çdo deputeti të Parlamentit që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e reformës në drejtësi, të ketë përgjegjësinë të bëje një hap konkret në të mirën e vendit dhe të qytetarëve të tij, duke votuar ngritjen e institucioneve të Vettingut brenda afatit të përcaktuar nga ligji.

“Çdo bllokim i këtij proçesi është bllokim i zhvillimit të vendit dhe së ardhmes tonë evropiane. Reforma në drejtësi nis me Vettingun. Vota për Vettingun është detyra juaj si përfaqësues i vullnetit të zgjedhësve tuaj!”, apelon shoqëria civile.

Top Channel