Haradinaj, Mesiç: Miku im do të kthehet shpejt në Kosovë

24/02/2017 00:00

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë është takuar edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përfshi këtu nënkryetarin Ardian Gjini.

Gjini e ka informuar ish-presidentin kroat lidhur me çështjen e kryetarit të partisë, i cili po mbahet në Francë në pritje të vendimit nga gjykata franceze, pas ndalimit mbi bazën e një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

“Kjo vizitë na nderon shumë, sidomos kur kryetari i partisë ndodhet ende në Strasburg dhe presim që javën tjetër të lirohet. Është një mbështetje e madhe morale që na vjen prej presidentit Mesiç. Ne e mbajmë mend shumë mirë mbështetjen e Kroacisë, gjatë kohës që Mesiç ka qenë president. Presidenti Mesiç vazhdon të jetë miku ynë, sikurse edhe ne vazhdojmë të jemi miq të presidentit Mesiç dhe të Kroacisë”, tha Gjini.

Ndërkohë, Stipe Mesiç tha se vizita e kësaj të premteje në selinë e AAK-së ka pasur për qëllim që të informohet për rastin e udhëheqësit të partisë, Ramush Haradinaj.

“Sot jam informuar për çështjet politike në Kosovë, për çështjet ekonomike dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur kohët e fundit këtu. Gjithashtu u informova, gjë që më interesonte, për shokun dhe mikun tim të ngushtë Haradinaj dhe situatën e tij, por jam i bindur dhe mendoj se shumë shpejt ai do të kthehet në Kosovë”, tha Mesiç.

Një ditë më parë, ish-kreu i shtetit kroat është takuar në Prishtinë me kryeministrin Isa Mustafa. Selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që nga koha kur është arrestuar kreu i saj dhe ish-kryeministri i Kosovës, është vizituar edhe nga kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta.

Top Channel