Krimet e luftës, Kosova duhet të padisë Serbinë

24/02/2017 00:00

Në një tryezë shkencore që po zhvillohet në Prishtinë, sa i përket krimeve kundër njerëzimit në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, është arritur në konkluzionin se qeveria e Kosovës duhet të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Profesor Muhamet Kelmendi është shprehur se gjatë viteve ’98-’99, në Kosovë ka pasur dhunë dhe terror. Ai deklaroi gjithashtu se Serbia ka vrarë 14 mijë persona në Kosovë dhe për këto krime nuk është burgosur askush deri më tani.

Ndërkohë Zejnullah Gruda, një tjetër profesor, është shprehur se “kriminelët e Serbisë që kanë kryer gjenocid janë në krye të shtetit dhe janë shpërblyer me përfitime”.

“Fatkeqësisht ne jemi të vonuar dhe nuk kemi bërë asnjë punë seriozisht në këtë aspekt”, ka thënë ai. Duke përfituar nga rasti, Gruda është shprehur se edhe ndalimi i kreut të AAK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletarresti serb, është i padrejtë, për shkak se ai është gjykuar dhe ka fituar pafajësinë në instancat më të larta të drejtësisë europiane.

Top Channel