Thaçi: Serbia s’mund të bëhet lidere e Ballkanit me avionë rusë

24/02/2017 00:00

Në një intervistë për prestigjiozen amerikane “The Wall Street Journal”, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ka kaluar koha e dominimit në Ballkan.

Ndër të tjera, Thaçi ka thënë se çdo pretendim, nga çdokush, për ta paraqitur veten si një superfuqi në rajon është i gabuar. “Sidomos nëse ky pretendim përfshin avionët rusë”, është shprehur Thaçi për “WSJ”-në.

Gazeta prestigjioze amerikane shkruan se shteti më i ri i Europës bart disa plagë të dukshme nga gjakderdhjet etnike që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe që detyruan administratën e Clintonit dhe NATO-n të bombardojnë Serbinë në vitin 1999, deri në dhënien fund të shtypjes së shqiptarëve nga Slobodan Milosheviç dhe largimin e tij nga Kosova.

Presidenti Thaçi ka thënë gjithashtu se asnjë vend nuk është udhëheqës i rajonit. “Kjo është arsyeja përse Serbia i ka humbur të gjitha luftërat që ka filluar”, ka thënë Thaçi.

Në intervistën për gazetën amerikane, Thaçi ka thënë se bota dhe Europa po ndryshojnë. Megjithatë, sipas tij nuk mund të mohohet fakti se demokracitë liberale janë lënduar.

“Të drejtat e njeriut janë lënduar si vlerë, sikurse edhe vet demokracia. Kjo është arsyeja përse ne shohim një rritje të ideologjive nacionaliste dhe autoritare”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar gjithashtu se është çështje e Beogradit “nëse duan të bëhen bazë e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por mendoj se qytetarët e Serbisë duan në fakt një perspektivë europiane, e jo të jenë një faktor destabilizues në rajon, siç kanë qenë më parë”.

Sipas presidentit Thaçi, Kosova dhe Serbia janë në një proces normalizimi të marrëdhënieve.

Top Channel