Antitrupi i populizmit, Tajani-Merkel: Afrimi i Europës me qytetarët

24/02/2017 00:00

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani është takuar mëngjesin e kësaj të premtene në Berlin me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Një takim i shkëlqyer u vlerësua ai, gjatë të cilit u arrit një “sintoni e plotë” mes të tjerash “për domosdoshmërinë e afrimit gjithnjë e më shumë të Europës me qytetarët e saj”.

Kjo është konfirmuar për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, nga një burim europian.

Presidenti i PE-së dhe kancelarja gjermane janë takuar për të folur mbi të ardhmen e Europës, në prag të 60-vjetorit të Traktatit të Romës, e kanë rakorduar së bashku nevojën për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve europiane dhe qytetarëve europianë.

Linja të përbashkëta ka pasur edhe mbi politikën tregtare. Gjatë takimit është nënvizuar fakti sesa i rëndësishëm është “uniteti europian”, pasi vetëm së bashku mund të arrihen rezultate më të mira në lidhje me qasjen në tregje.

Në takim është aluduar gjithashtu edhe për nevojën e krijimit të oportuniteteve të reja tregtare në Amerikën Latine dhe Meksikë.

Sa i përket emigrantëve, kancelarja gjermane dhe presidenti i Parlamentit Europian kanë rënë dakord mbi urgjencën e një politike të veçantë për Afrikën. Duhet investuar më shumë në kontinentin afrikan, jo vetëm me burime financiare, por edhe përmes transferimit të njohurive dhe dijeve mbi industrinë dhe infrastrukturën.

Menjëherë pas takimit me Merkelin, Tajani është takuar me presidentin e Republikës Federale Gjermane, Joachim Gauck, në Bellevue.

Top Channel