Trump sulmon edhe FBI-në: Nuk gjen dot informatorët brenda saj

24/02/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi edhe FBI-në këtë të premte, për dështimin për të ndaluar rrjedhjen e informacioneve mbi sigurinë kombëtare nëpër media, si dhe udhëzoi agjencinë të gjente ata që fshihen pas dhënies së informacioneve të klasifikuara.

Komentet e Trumpit kanë ardhur pas raportimeve në media se FBI-ja refuzoi një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për të hedhur poshtë disa lajme, të cilat thoshin se pjesëtarë të ekipit të Trumpit kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me agjentë rusë të kundërzbulimit gjatë fushatës së tij presidenciale.

Byroja Federale e Hetimit, agjencia më e lartë ligjzbatuese në vend, nuk iu përgjigj kërkesës për komente ndaj fjalëve të Trumpit në “Twitter”.

“FBI-ja është totalisht e paaftë për të ndaluar ata që nxjerrin informacione të sigurisë kombëtare, që kanë përshkuar qeverinë tonë prej një kohe të gjatë. Ata madje nuk mund të gjejnë as informatorët brenda vet FBI-së. Informacione të klasifikuara u jepen medieve, por ato mund të ketë një efekt shkatërrues ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndaj, gjejini tani!”, shkruante Trump.

Raportime nga “CNN” dhe “Associated Press” informonin se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus i kishte kërkuar Andrew McCabe, ish-nëndrejtor i FBI-së, të mohonte raportimin e 14 shkurtit në “Neë York Times”, sipas të cilit këshilltarë të fushatës presidenciale të Trumpit kanë qenë në kontakte me oficerë të lartë të kundërzbulimit rus. Kërkesa erdhi pasi McCabe i kishte thënë atij privatisht se raporti në fjalë ishte i gabuar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha të premten se edhe drejtori i FBI-së, James Comey i kishte rrëfyer më vonë Priebusit se lajmi nuk ishte i saktë. Priebus kishte kërkuar nëse FBI-ja mund të jepte versionin e saktë të lajmit, por Comey i ishte përgjigjur se Byroja nuk mund të komentonte mbi atë raportim të medias në fjalë. E ndërsa ishte pyetur sërish nëse mund t’ia konfirmonte realisht pasaktësinë e atij lajmi, Comey i ishte përgjigjur në mënyrë pohuese.

FBI-ja po heton prej kohësh ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 8 nëntorit. Agjentë të kundërzbulimit të FBI-së janë duke ekzaminuar edhe transaksionet financiare të individëve apo kompanive ruse, të cilat besohet se kanë lidhje me bashkëpunëtorë të Trumpit.

“Po janë duke u kryer hetime dhe ato do të nxjerrin ekzaktësisht se çfarë ka dashur të bëjë Rusia në Shtetet e Bashkuara”, tha të premten për CNN senatori demokrat Ben Cardin, i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit. “Duhet të përfundojmë hetimin dhe, sinqerisht, nuk duam që Shtëpia e Bardhë të përpiqet të ndikojë në këtë hetim”.

John Conyers, nga Dhoma e Përfaqësuesve, tha se çdo lloj përpjekjeje nga Shtëpia e Bardhë për të ndikuar në hetimin e FBI-së është “thellësisht shqetësues”. “E thënë thjesht, Shtëpia e Bardhë nuk e ka të lejuar të ushtrojë presion ndaj FBI-së për të bërë deklarata publike mbi një hetim në vazhdim të presidentit dhe këshilltarëve të tij”, tha demokrati Conyers, i Komitetit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Top Channel