Basha: Fund sundimit të bizneseve të afërta me qeverinë

24/02/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha priti këtë të premte në çadrën e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përfaqësues të biznesit të vogël e të mesëm.

Në fjalën e tij, Basha tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do t’i japin fund vjedhjes së shqiptarëve nga bizneset e afërta me qeverinë.

“Në Shqipëri ecin përpara vetëm katër apo pesë kodoshë biznesmenë që populli u thotë oligarkë. Oligarkë që rrinë gjithë ditën tek zyra e Edi Ramës dhe nga zyra e Edi Ramës çdo ditë ndajnë thelat e kaposhit, që në fakt është buka që u hiqet nga goja shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm dhe fëmijëve të tyre. Katër ose pesë oligarkë thërret Edi Rama për çdo gjë, për çdo tender, për çdo koncesion, për çdo privatizim, për çdo pasuri kombëtare. Katër apo pesë emra i thërret aty dhe i bën së bashku ndajnë thellat e pushtetit, së bashku ndajnë pasuritë e shqiptarëve, ndërkohë që vendi zhytet në mjerim”, tha Basha.

Basha siguroi të pranishmit se programi i Partisë Demokratike do ta çlirojë ekonominë, do hapë konkurrencën, do krijojë shanse për të gjithë, do ketë transparencë, si dhe do të ulë taksat dhe do heqë barrierat mbytëse administrative.

Top Channel