Vrau bashkëshorten greke, nis gjyqi ndaj shqiptarit në Selanik

24/02/2017 00:00

Filloi në Selanik gjyqi ndaj shtetasit shqiptar James Klodi Lesi, i cili një vit më parë vrau bashkëshorten e tij greke dhe më pas për 18 ditë rrëmbeu një prej djemve të tij të mitur për t’iu fshehur organeve të policisë.

35-vjeçari akuzohet për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, përdorim arme si dhe për vënie në rrezik të jetës së një të mituri.

Por pa filluar mirë, gjyqi ndaj 35-vjeçarit shqiptar është ndërprerë pasi avokati i tij mbrojtës, Aleksis Kujas, i njohur edhe në Shqipëri pasi ka në dorë çështjen e Klement Balilit, ka kërkuar shtyrjen e gjyqit për arsye pune dhe më pas, kur kërkesa nuk është pranuar ka dhënë dorëheqjen.

Pas këtij zhvillimi, gjykata i ka caktuar të pandehurit një avokat të ri, ndërsa gjyqi do të rifillojë më datë 2 mars. Vrasja barbare e kryer nga Lesi në janarin e vitit 2016 tronditi Greqinë dhe ishte në fokus të mediave greke për shumë ditë.

Ajo ndodhi në fshatin Ormilia të Halidhikisë, 100 km në lindje të Selanikut. 35-vjeçari shqiptar, që ishte divorcuar tre muajt e fundit nga bashkëshortja e tij greke dhe kishte pasur konflikte me të për ndarjen, hyri në shtëpinë ku banonte viktima dhe dy djemtë e tyre, të moshës 4.5 deri në 6.5 vjet dhe e vrau atë para syve të tyre, duke e goditur disa herë me thikë. Autori, pasi mori vetëm një prej fëmijëve, u zhduk për tre javë derisa u gjet nga policia greke.

Top Channel