McLaren heq “vellon”, homazh fitores së parë në 1968

24/02/2017 00:00

Parada e prezantimit të makinave të Formulës 1 vijon me McLaren. Skuadra britanike u paraqit përpara të gjithëve me një pamje të ndryshme nga ajo e vitit të kaluar.

Telajoja e “MCL32” është e zezë dhe ndërthuret me ngjyrën portokalli, duke i bërë një homazh fitores së parë të saj të arritur në vitin 1968 me Bruce McLaren, në “SPA Francorschamps” të Belgjikës.

Një e kaluar e lavdishme e McLaren që duhet të bëjë llogaritë me të tashmen, por edhe të ardhmen. Fernando Alonso dhe Stoffel Vandoorne janë pilotët që do të kërkojnë ta bëjnë vitin 2017, si pikën e kthesës për skuadrën nga “Woking”, që në dy sezonet e fundit të Formulës 1 ka bërë paraqitje zhgënjyese.

“Rezultatet deri tani nuk kanë qenë ato që priteshin, por në 12 muajt e fundit kemi bërë përmirësime të ndjeshme. Rregullat e reja janë një mundësi që duhen shfrytëzuar. Jam i sigurtë se i kemi aftësitë për t’ia dalë mbanë. ‘MCL32’ premton dhe mua më pëlqen shumë, duket se është e shpejtë dhe agresive”, tha Alonso.

Ndërsa i riu Vandoorne, që zëvendësoi Jenson Buttonin e tërhequr, deklaroi se makina e re e “McLaren”-it është një përzierje mes të kaluarës dhe së ardhmes, gjë që atij i pëlqen shumë. Vandoorne theksoi gjithashtu se ai ndihet gati për këtë aventurë të re të tij në Formula 1 dhe se për këtë ai ka punuar shumë gjatë periudhës dimërore.

Top Channel