Filipine, arrestohet senatorja. E quajti Duterten vrasës serial

24/02/2017 00:00

Kritikja më e zëshme e presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, dhe luftës së tij brutale kundër drogës, është arrestuar të premten nën akuza që sipas saj nuk kanë asnjë qëllim tjetër veçse t’i mbyllin gojën.

Sidoqoftë, ajo ka premtuar se do të vazhdojë të luftojë kundër atij që ajo e quan një “vrasës serial me të meta mendore”. Duke folur për gazetarët, pak minuta para se policë të armatosur ta arrestonin atë, senatorja Leila de Lima këmbënguli se ajo ishte e pafajshme për akuzat për trafik droge, që mund të çojnë deri në burgosjen e përjetshme të saj.

“Është një nder për mua nëse arrestohem për këtë kauzë. Lutuni për mua”, tha De Lima para zyrës së saj në Senat, ku ajo kishte qëndruar gjatë natës, pasi një urdhërarresti u lëshua të enjten. “Ata nuk do të mund të më mbyllin gojën dhe as të më ndalojnë të luftoj për të vërtetën dhe drejtësinë, e kundër vrasjeve të përditshme dhe represionit të regjimit të Dutertes”, tha ajo.

Ajo i kishte bërë apel policisë mbrëmjen e së enjtes të mos e arrestonte gjatë natës dhe kishte premtuar se do të dorëzohej të premten. “Nëse ata respektojnë Senatin si një institucion, nuk duhet të më arrestojnë me forcë sonte”, kishte thënë ajo.

De Lima kishte regjistruar një video para arrestimit, ku i kërkonte filipinasve të tregonin kurajo dhe të kundërshtonin luftën e egër kundër drogës të Dutertes, që ka bërë që më shumë se 6.500 vetë të vriten që kur ai u ul në detyrë 8 muaj më parë.

Që në gusht, Duterte kishte akuzuar senatoren se kishte udhëhequr një rrjet trafiku droge me kriminelë brenda burgut më të madh të vendit, kur ajo ishte Sekretare Drejtësie në qeverisjen e mëparshme të Benigno Aquinos.

Duterte fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar, pasi premtoi gjatë fushatës se do të çrrënjoste problemin e drogës në shoqëri, duke vrarë dhjetëra e mijëra njerëz. Ai nisi një raprezalje të vërtetë që pasi mori detyrën dhe policia raportohet të ketë vrarë, që nga qershori, 2.555 të dyshuar, ndërsa 4.000 të tjerë janë vrarë në rrethana të pashpjegueshme.

“Amnesty International” ka paralajmëruar se veprimet e policisë në luftën kundër drogës mund të konsiderohen krime kundër njerëzimit.

Top Channel