Një ditë pasi LSDM-ja e Zoran Zaev deklaroi se në mars do të krijohet qeveria me BDI-në, kjo e fundit ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar edhe një mundësi të re.

Zëdhënësi i BDI-së doli para mediave dhe tha se Kryesia Qendrore po diskuton mundësinë që BDI të japë mbështetjen për Zoran Zaev, por vetë të mos përfshihet në qeverisje, por të qëndrojë në opozitë.

“Është një normë e provuar edhe në vendet europiane, ku formohet qeveri e pakicës. BDI po shqyrton mundësinë që t’i japë mbështetje qeverisë së re, por pa u bërë pjesë e saj. Këto janë gjërat që po diskutohen pasi harmonizuam tekstin për ligjin e gjuhës shqipe”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Kushti për gjuhën shqipe zyrtar në gjithë Maqedoninë nuk ndryshon.

“Po diskutojmë vetëm mbi mundësinë për formimin e Qeverisë, pra të japim mbështetje për atë që njihet si qeveri e pakicës, por gjithmonë si parakusht kalimin e ligjit për gjuhën shqipe”, deklaroi Osmani.

Në fund, zëdhënësi i BDI-së nënvizoi gjithashtu se kjo forcë politike nuk është tërhequr, të paktën deri më tani, edhe nga kërkesa për vijimin e punë së Prokurorisë Speciale.

Top Channel