Gjermania azil për 136 zyrtarë të lartë turq

24/02/2017 00:00

Që prej grushtit të dështuar të shtetit të muajit korrik në Turqi, Gjermania ka marrë 136 kërkesa për azil nga shtetas turq që mbajnë pasaporta diplomatike.

Ankaraja i ka kërkuar hapur Berlinit që të mos pranojë asnjë oficer ushtarake, por në mesin e grupit të personave që pretendojnë qëndrimin në shtetin europian besohet të ketë dhe individë të caktuar në bazat e NATO-s në Gjermani.

Dy ushtarë të tjerë turq nga ana tjetër kanë paraqitur kërkesë për Azil në Greqi. Ata raportohet të jenë pjesëtarë të forcave komando e janë të mëdha gjasat që të kenë qenë pjesë e tentativës se pasuksesshme për rrëzimin e presidentit Rexhep Tajip Erdoan nga pushteti.

Aktualisht, të dy ushtarët po mbahen nën mbikëqyrje nga policia greke. Aplikimin e kanë bërë javën që shkoi në Orestiada, një qytet i vogël kufitar me Turqinë.

Në  muajin janar, një gjykatë greke e refuzoi kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e 8 ushtarëve të tjerë turq që fluturuan drejt shtetit helen pas gushtit te shtetit.

Ministria e Brendshme gjermane nuk e ka bërë ende publik identitetin e 136 turqve që kërkojnë strehim atje. Që prej ngjarjeve të korrikut, 43.000 persona kanë përfunduar prapa hekurave nën dyshimin e përfshirjes në komplot, ndërsa 100.000 nëpunës publikë mes të cilëve mësues, policë dhe pjesëtarë të gjyqësorit, janë pezulluar nga detyra.

Top Channel