Donald Lu apel të rinjve: Studioni në SHBA e kthehuni në atdhe

24/02/2017 00:00

Ambasadori Lu ka preferuar të qëndrojë larg komenteve për çadrën e protestës përballë Kryeministrisë, ndonëse ditët e fundit ka shpeshtuar konsultimet me krerët e shtetit dhe së fundi edhe me raporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein.

Në diskutimet me maturantët, Ambasadori Lu ka mbajtur veshur fanellën e universitetit të mirënjohur amerikan Princeton, ku ka studiuar për 8 vite.

Në intervistën për Top Channel ambasadori Lu ftoi maturantët shqiptarë të studiojnë në SHBA për t’u rikthyer në vendlindje dhe për ta ndryshuar Shqipërinë.

“Ne ju japim mundësi maturantëve shqiptarë të studiojnë në SHBA jo vetëm në gjuhën angleze. Shqiptarët janë të suksesshëm, flasin disa gjuhë të huaja dhe kjo i bën ata edhe më të veçantë nga të tjerët”, deklaroi kryediplomati i SHBA në Tiranë.
 
Por cili është mesazhi i tij për të rinjtë shqiptarë?

“Jam shumë optimist për ata që do të studiojnë në vendin tim, do të kenë mundësi të mësojnë shumë nga ShBA-të, sepse në kemi studentë nga vende të ndryshme të botës dhe universitete të mirënjohura”, u shpreh ai.

Ambasadori shprehu besimin se ata që do të zgjedhin të studiojnë në universitetet amerikane do të rikthehen në atdhe.

“Ata do të kthehen sigurisht dhe do të kontribuojnë për shoqërinë në Shqipëri”, tha ai.

Për rikthimin në atdhe pas studimeve jashtë foli edhe ministri i Jashtëm Bushati.

“Në këto vite pak është arritur, të jemi idealistë dhe më patriotë që dijen që marrim jashtë ta vëmë në shërbim të atdheut”, deklaroi ministri Ditmir Bushati.

Top Channel