Azilkërkuesit, edhe fëmijë shqiptarë në Britani

24/02/2017 00:00

Këshilli i kontesë Somerset në Britani i kërkon me urgjencë banorëve të saj të ofrojnë kush mundet një strehë të sigurtë për fëmijët azilkërkues të pashoqëruar nga prindër, të mbërritur në këtë zonë nga Shqipëria, Afganistani dhe Eritrea.

Mbi 17 të miturve të pranuar tashmë nga autoritetet lokale, pritet t’iu bashkohen edhe shumë  të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre janë të moshës 15 vjeç e lart. Frensis dhe i shoqi ishin një prej çifteve që zgjodhën t’i hapin shtëpinë një azilanti të mitur.

“Azilkërkuesit e rinj përballen me sfida të shumta për të mbërritur deri këtu. Gjëra të rënda u kanë ndodhur atyre sepse asnjë fëmijë nuk zgjedh të largohet me dëshirë nga siguria e shtëpisë së vet, por ata thjesht nuk kanë rrugë tjetër”, shprehet Frensis.
 
Bashkëshortët e kanë konsideruar veten me fat që adoleshenti nga Afganistani, i identifikuar vetëm si Alex për të mbrojtur identitetin e tij, jeton në një vend me ta. Ai na respekton shumë, thotë ajo, është i papërtuar në punë e madje i çon dhe nipërit tanë të luajnë futboll. Autoritetet lokale ankohen megjithatë se nuk ka shumë prindër të tillë birësues. “Mendoni si për fëmijët tuaj”, apelon një prej tyre.

Vitin e kaluar, numri i të miturve të pashoqëruar azilantë në kujdesin e organizmave britanikë pati një rritje të ndjeshme prej 62%.

Top Channel