Tahiri: Këtë vit, fund hashashit

24/02/2017 00:00

Ministri i brendshëm Saimir Tahiri zotohet se viti 2017 të jetë fundi i historisë së kanabisit në Shqipëri. Deklaratat e tij erdhën gjatë takimit me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri dhe një aktivitet me ambasadorin e Suedisë, vend i cili ka ofruar për policinë në formë donacionesh 3.3 milionë euro.

“Lëreni policinë të punojë dhe keni për të parë që do ketë rezultate spektakolare. Ne do ta mbyllim kapitullin e Shqipërisë me kanabis njëherë e mirë. Dhe ky vit është vit deçiziv. E filluam me Lazaratin, do e mbarojmë me çdo cep të Shqipërisë”, tha Tahiri.

Ambasadori Boshard u kujdes të rikonfrimonte se raporti që shkaktoi debate i përket vitit 2013, megjithatë, sipas tij, Shqipëria ka shumë punë në luftën kundër drogës.

“Në 2013 ne kemi pasur një vlerësim ndërkombëtar të prodhimit të kanabisit në Shqipëri, të cilat flasin për 1 mijë tonë kanabis që, përllogaritur me vlerën e tregut të shitjes në Berlin, Romë apo Evropën Perëndimore, arrijnë në 2 miliardë euro. Vitin e kaluar pamë shkatërrimin e rreth 2,5 milionë bimë kanabis, çka tregon se shumë prej energjisë kriminale mbetet. Unë do të doja të përgëzoja Policinë e Shtetit që identifikoi kaq shumë bimë narkotike. Megjithatë, sekuestrimet e vazhdueshme në Adriatik, në kufirin me Greqinë e vende të tjera, tregojnë se kjo punë duhet të vijojë”, tha Borchardt.

Sipas ambasadorit të OSBE, Shqipëria duhet të çojë përpara edhe Reformën Zgjedhore, në mënyrë të veçantë për të ndaluar paratë e pista të futen në sistemin elektoral.

Top Channel