Gjykata refuzon prokurorinë. Nuk pranon gjykimin e shkurtuar për grupin e Xibrakës

24/02/2017 12:35

Procesi gjyqësor ndaj të ashtuquajturit grupi i Xibrakës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka hyrë në një fazë të re, ku avokatët mbrojtës të 9 të pandehurve, nuk kanë më besim tek trupi gjykues. Ndërsa ky i fundit është shprehur kundër jo vetëm avokatëve mbrojtës, por edhe prokurorisë.

Në seancën e së premtes, trupi gjykues pati një ndryshim në përbërje të tij, ku gjyqtarja Etleva Deda për arsye shëndetësore u zëvendësua me gjyqtaren Irena Gjoka. Duke qenë se me ndryshimin e një anëtareje të trupit gjykues mund të ndryshonte edhe balanca e vendimmarrjes, avokatët ripërsëritën kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Kjo kërkesë u pranua edhe nga dy përfaqësuesit e prokurorisë në proces, sipas të cilëve çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. Por, nuk ka qenë i këtij mendimi trupi gjykues, i cili ka shënuar një nga precedentët e rrallë, duke mos pranuar gjykimin e shkurtuar edhe kur është dakord organi i akuzës, që ka kryer hetimet.

Pas këtij vendimi, avokati i Klement Dalipit, Ardian Visha dhe më pas të gjithë avokatët e tjerë kërkuan përjashtimin e trupit gjykues, ndërsa disa prej tyre braktisën seancën në shenjë proteste ndaj mohimit të kësaj të drejte ligjore. Ky proces ka që në muajin maj të vitit të kaluar që dështon, pasi nuk ka bërë dot të mundur hapjen e shqyrtimit gjyqësor.

Top Channel