Schulz, në prag hetimi për korrupsion

24/02/2017 00:00

Një anketë e realizuar në fillim të shkurtit tregonte se po të votohej tani për kancelarin në Gjermani, Martin Shculz do të merrte 50% të votave, ndërsa Angela Merkel 34%.

Ky nivel popullariteti i dha krahë kandidatit të Partisë Socialdemokrate, por zhvillimet e fundit duket se do ta frenojnë ca hovin e tij. Ekspertë të bllokut kanë nisur të verifikojnë dyshimet për korrupsion kundër ish-Presidentit të Parlamentit Europian, me qëllimin të shohin nëse duhet çelur një procedurë hetimore. Zyra Evropiane për Luftën ndaj Korrupsionit do të shqyrtojë sinjalizime, sipas të cilave janë bërë promovime të diskutueshme e janë paguar shpërblime gjatë kohës kur Parlamentin e drejtonte ai.

Mendohet se pika e fortë e Shulzit në betejën elektorale do të ishte pikërisht tema e drejtësisë. Por, tani 61-vjeçari duhet të japë shpjegime sesa e drejtë është që të paktën një bashkëpunëtor i tij ka marrë çdo muaj pagesa të patatueshme mbi rrogën në shumën 2200 euro, ndërsa të tjerët merrnin mesatarisht 500 euro. Një rast tjetër, kujton DW, ka të bëjë me të besuarin e Schulzit, Markus Engels. Gjermanin e patën dërguar në vitin 2012 me “shërbim të vazhdueshëm” në Berlin, megjithëse ai ishte vendosur që përpara kësaj në kryeqytetin gjerman.

Një formulim i tillë i kontratës për Engelsin nënkuptonte përfitimin e një shtese të pagës prej 16 përqind si dhe disa dieta ditore. Zyra e BE-së për Luftën ndaj Korrupsionit tani do ta analizojë këtë situatë për të konstatuar “nëse ekziston një dyshim i mjaftueshëm për mashtrim, korrupsion ose ndonjë aktivitet ilegal”, i cili prek interesat financiare të bllokut.

Top Channel