Në ditën e shtatë të protestës, Lulzim Basha foli me një gjuhë tjetër. Në çadrën e protestës së opozitës para Kryeministrisë, ai zgjodhi një formë tjetër komunikimi me të pranishmit dhe publikun.

“Ta dijë mirë çdokush që godet qytetarët, që godet protestën se do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë?! Luftë do të ketë, por qytetarët do të fitojnë! Shpojuani gomat e makinës! Thyjuani dritaret! Nxirrini zvarrë nga zyrat ata që shkelin të drejtat tuaja! Ngrihuni, protestoni, reagoni! Askush të mos kujtojë se kjo është lojë! T’i bëjë llogaritë mirë, përndryshe vala e ardhshme popullore do t’i fshijë nga zyrat!

Durimi popullit i ka ardhur fundi! Durimit tonë i ka ardhur fundi, ndaj boll me provokime, boll me akte të paligjshme në kurriz të qytetarëve, në kurriz të biznesit. kur zemërata popullore do të ngrihet, nuk do të gjeni vrimë miu ku të futeni. Ju bëj thirrje të gjithëve të marrim përgjegjësitë tona, të reagojmë orë e minutë; mos ktheni faqen tjetër, por qëllojini me grusht.

Koha ka ardhur të zgjidhin gjuhën edhe ata që e kanë mbajtur të lidhur deri më sot. 2 miliardë euro drogë, në fakt trefishuar thotë antimafia italiane, pra 6 miliardë euro. Hiqni dorashkat, zgjidhni gjuhën dhe tregojini botës problemin e madh të Shqipërisë.

Ne jemi këtu për një Shqipëri të pastër nga droga, që fillon me largimin e një Kryeministri dhe ministri që janë zanafilla e drogës. Dua të përsëris edhe njëherë thirrjen për ambasadorin amerikan; zbato të njëjtin standard! Hiqi vizën Edi Ramës, hiqi vizën Saimir Tahirit!

Kjo është luftë! Ne nuk do të qëndrojmë këtu si dele duke pritur thertoren e krimit dhe korrupsionit. Ne jemi në këmbë! Ne jemi ngritur! Ne do të luftojmë deri në fitore! Nuk jemi këtu për të denoncuar dhe ankuar, boll e kemi bërë për 3 vjet e gjysmë!

Jemi këtu për të thënë se nuk ndalemi derisa të fitojmë të drejtën tonë për të votuar si europianë përmes largimit të kësaj qeveri dhe hapjes së rrugës të një qeverie të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Tërheqje nuk ka!”, tha Basha.

Top Channel