Mandati i Prengës, KQZ kërkon informacione shtesë

24/02/2017 00:00

Shumica e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkoi që Prokuroria, e cila ka kërkuar heqjen e mandatit të Armando Prengës, të sjellë materiale më të plota, për të bërë të mundur argumentimin ligjor për heqjen e mandatit të tij.

Informacionet janë kërkuar kryesisht për dënime të deputetit Prenga në Itali.

“Të presim informacione shtesë nga Prokuroria më të hollësishme për vendime, shkelje, gjoba, dëbime e të tjera për subjektin në fjalë. Presim që Prokuroria të na i sjellë brenda ditës së hënë”, tha kreu i KQZ-së, Denar Biba.
 
Por avokati i Armando Prengës thotë se organi i akuzës ka mbledhur prova deri më tani me qëllim denigrimin e figurës së deputetit të Qarkut të Lezhës.

“Është gjetur si emër për t’u goditur dhe për t’u sulmuar me çdo kusht. Këtë e themi duke u nisur thjeshtë nga kërkesa që është bërë paraprakisht, duke mos patur asnjë javë që ne të bëjmë analizën dhe ballafaqimin konkret të këtyre akteve”, tha avokati i deputetit Prenga, Baftja Hysi.

Anëtarët e djathtë në KQZ thanë se ligjërisht Armando Prengës duhet t’i hiqet mandati.

“Sektori përkatës i Prokurorisë e ka kryer detyrën e vet në zbatim të ligjit. Ka bërë verifikimin e thelluar dhe rezultatet e verifikimit të kryer janë në KQZ. Tashmë është detyra jonë dhe përgjegjësia jonë ligjore që të shqyrtojmë këto të dhëna dhe të dalim në përfundime në bazë të asaj që përcakton ligji”, tha Vera Shtjefni, anëtare e KQZ-së.

Ndërkohë, Prokuroria thotë se i ka përcjellë KQZ-së fakte të pakundërshtueshme për ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të Prengës.

Organi i akuzës thotë se KQZ kërkon informacione shtesë për rastet e dënimit të Prengës në Itali, por ka harruar të marrë në konsideratë dënimin e Prengës me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, në 1 dhjetor 2005. Dënimi i Prengës nga Gjykata e Kurbinit, thotë Prokuroria, i është përcjellë KQZ-së që në maj të 2016-ës.

Top Channel