F1, Ferrari prezanton makinën e re

24/02/2017 00:00

Makina e re e Ferrarit, që do të drejtohet nga Sebastian Vettel e Kimi Raikkonen në Botërorin e ri të Formulës1 quhet SF70-H. Në Maranello, skuderia italiane prezantoi këtë mjet të krijuar për të festuar 70-vjetorin e krijimit të saj.

Ky prezantim u bë “online” dhe të pranishëm ishin të gjithë pjesëtarët e Ferrarit. Në makinën e këtij viti të bie në sy fakti që telajoja dominohet nga ngjyra e kuqe, ndryshe nga sa ndodhi në sezonet e mëparshme, që kishte një kombimin edhe me të bardhën. Ajo që të bën përshtypje është se mes markave që shfaqen në “Kokëkuqen” italiane spikat emri i kompanisë së prodhimit të automobilëve, Alfa Romeo.

Forma e makinës së re të Ferrarit SF70-H është shumë ndryshe nga ajo e vitit të kaluar. Stafi teknik i skuderisë nga Maranello ka punuar shumë në lidhje me aerodinamikën dhe këtë e tregon fakti që këtë vit hunda e makinës është më e hollë në krahasim me vitet e kaluara, gjë që u krye edhe duke u bazuar te rregullat e reja të vendosura. 

Një tjetër ndryshim të cilit iu nënshtrua Ferrari, duke u bazuar te rregullorja, është ai që ka të bëjë me gomat të cilat janë më të gjera në krahasim me vitet e kaluara. Përsa i përket motorit të makinës, në këtë aspekt ndryshimet nuk janë aq radikale sa për aerodinamikën. Motori 062 i Ferrarit është një version më i mirë në krahasim me atë të mëparshmin. Disa përbërës mekanikë të tij janë riparë, ndërkohë që të tjera zgjidhje kanë skemë të njëjtë me atë të vitit 2016.

Prezantimi i makinës së re të Ferrarit ia la vendit një testi në pistë, ku i pari që pati mundësinë të përurojë SF70-H ishte Kimi Raikkonen, i cili më pas ia kaloi stafetën gjermanit Sebastian Vettel.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel