Transporti urban, Veliaj: Qytetarët udhëtojnë më lirë për distanca të largëta

24/02/2017 00:00

Një tjetër linjë e re i është shtuar Tiranës, ajo e ish Stacionit të Trenit- Farkë, të cilit i shtohen edhe 5 autobusë. Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka inspektuar këtë linjë ku u shpreh se qytetarët mund të udhëtojnë më lirë për distanca më të largëta, duke riorganizuar linjat në periferi.

“Jam shumë i lumtur që mbajmë një premtim tjetër për qytetarët. Kjo ka qenë një linjë jashtëzakonisht e kërkuar sepse lidh një zonë të re të Tiranës, e zhvilluar rishtazi, me shumë banorë, që mbulon një pjesë të madhe të hapësirës universitare pranë Qytetit Studenti, me qendrën e qytetit. Kjo tani është dyfishuar duke vajtur deri te ish Stacioni i Trenit. Pra, me një biletë të vetme, ata qytetarë që duhet të zbrisnin në qendër dhe të ndërronin autobus për të marrë një tjetër, për të shkuar në pjesën tjetër të Tiranës, sot e bëjnë vetëm me një biletë, me një abone të unifikuar, dhe fatmirësisht me 30% më shumë mjete në shërbim. Duke shtuar mjetet është shtuar edhe përdorimi dhe rezulton që të gjithë qytetarët janë të kënaqur nga sistemimi i kësaj linje”, shtoi Veliaj.

Ai nënvizoi se veç zonave urbane, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të propozojë zgjidhje konkrete për rregulimin e linjave të zonave rurale. Sipas tij, qytetarët do të marrin të njëjtin shërbim me të njëjtin cilësi, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo në periferi.

“Shumë shpejt do të bëjmë disa propozime konkrete për rehabilitimin e linjave në periferi, po na rezulton se ish-komunat, duke aplikuar çmime stratosferike, kanë lejuar në kurriz të qytetarëve një shërbim urban që le për të dëshiruar, si nga cilësia, si nga shërbimi, sigurisht edhe nga çmimi. Tani që u sistemua edhe linja nga Farka, Senatoriumi, Sauku, deri te ish Stacioni i Trenit, do të fokusohemi te linjat e zonave rurale si Baldushku, Krraba, Bërzhita dhe Petrela, sepse besojmë që qytetarët e Tiranës duhet të përfitojnë të njëjtin shërbim, siç po e përfiton Tirana urbane këto ditë me rehabilitimin e linjave të reja”, u shpreh kryebashkiaku.

Falë riorganizimit të linjave urbane në Tiranë, linja e vjetër Qendër-Sauk tashmë përshkon itinerarin: Ish Stacioni i Trenit – Qendër – Sauk i Ri – Sauk i Vjetër – Sanatorium – Farkë. Pra, linja ka pësuar një dyfishim në distancë dhe qytetarët mund të përdorin edhe abone. Për të përballuar fluksin që mund të sjellë zgjatja e linjës, linjës i janë shtuar edhe 5 autobusë, duke e çuar në 17 numrin e përgjithshëm të mjeteve që operojnë në këtë linjë.

Top Channel