Rikthehet NBA pas pushimit për “All Star Game”

24/02/2017 00:00

Pas disa ditësh pushimi, skuadrat e NBA rikthehen në parket për të zhvilluar ndeshjet e tyre të radhës të sezonit të rregullt. Golden State Warriors fitoi derbin kalifornian me LA Clippers me rezultatin 123-113.

Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Steve Kerr mjaftoi një periodë perfekte për të arkivuar këtë sfidë në favorin e saj. Gjithçka ndodhi në 12-minutëshin e tretë të sfidës, kur Golden State Warriors, që u gjend në disavantazh të 12 pikëve, shënoi plot 50 pikë për të përmbysur gjithçka në këtë ndeshje dhe për të siguruar fitoren e 48 sezonale. Stephen Curry ishte spektakolar për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit me 35 pikë, 18 nga të cilat i shënoi nga distanca e 3 pikëve. Mjaft mirë u paraqit edhe Kevin Durant, i cili e mbylli sfidën me 25 pikë, 15 topa në tabelë e 7 asist.

Cleveland Cavaliers nuk e pati aspak të vështirë të thyejë New York Knicks. Në “Quicken Loans Arena”, skuadra e Cavaliers iu imponua Knicks duke e mundur 119-104, ku protagonist u bë LeBron James. “The King” shënoi një bilanc me 18 pikë, 13 topa në tabelë dhe 15 asist, duke e drejtuar skuadrën kampione në fuqi tek fitorja e 40 sezonale.

Fitore të lehtë pati edhe Houston Rockets ndaj New Orleans Pelicans, pikërisht në ditën e debutimit të blerjes më të re të Pelicans, DeMarcus Cousins. Ky i fundit e mbylli sfidën me 27 pikë, 14 topa në tabelë e 5 asist, ndërkohë që Anthony Davis shënoi 29 pikë. Por, këto statistika nuk i mjaftuan New Orleans që të ndalte vrullin e Rockets dhe James Harden.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Portland fitoi në Florida ndaj Orlandos 112-103, Detroit mundi me kohë shtesë Charlotte 114-108, ndërsa Denver humbi ndaj Sacramento 100-116.

Top Channel