Tiranë, dy të arrestuar për prodhim të paligjshëm artikujsh ushqimorë

24/02/2017 08:15

Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e dy personave me akuzën e prodhimit të kundraligjshëm të artikujve dhe mallrave ushqimore dhe fshehje të të ardhurave.

Të arrestuarit janë 51-vjeçari Shemsi Pira dhe 33-vjeçari Agim Abdullaj, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi, gjatë një kontrolli të ushtruar në bashkëpunim me AKU dhe Hetimin Tatimor, në ambientet e banesës së shtetasit Shemsi Pira është konstatuar se ai prodhonte artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe industrialë në mënyrë të kundraligjshme dhe më pas i hidhte në treg duke i shitur.

Gjithashtu, po gjatë  kontrollit, në një automjet në pronësi të shtetasit Agim Abdullaj, janë gjetur mallra ushqimorë të blerë tek shtetasi Shemsi Pira, si paketa pa pullë fiskale, makarona jufka, vaj ulliri e mallra të tjera pa faturë. U gjet dhe një makineri që dyshohet se përdorej për falsifikimin e datave të skadencës dhe paketimin e produkteve ushqimore të paligjshme.

Top Channel