Europa League, eliminohen Fiorentina dhe Tottenham

23/02/2017 00:00

Në ndeshjet e fundit të fazës së 1/16-ave të Europa League ka pasur jo pak rezultate surprizë. Fiorentina dhe Tottenhami janë dy nga emrat e mëdhenj që detyrohen t’i thonë “lamtumirë” kompeticionit të dytë për nga rëndësia në arenën europiane.

Ekipi “viola”, edhe pse kishte fituar ndeshjen e parë në Gjermani ndaj M’Gladbach me rezultatin minimal 1-0 dhe gjendej në avantazh të dy golave në pjesën e parë të takimit të kthimit, janë eliminuar nga gjermanët, të cilët shënuan plot 4 herë në “Artemio Franchi” të Firenzes, një në fundin e pjesës së parë dhe të tjerët në të dytën. Trigolëshi i Stindl dhe goli i Christensen realizojnë përmbysjen e madhe në Itali.

Edhe londinezët e Tottenhamit nuk kanë mundur të shkojnë më shumë sesa barazimi 2-2 me belgët e Gentit, me të cilët e kishte humbur ndeshjen e parë 1-0. Edhe pse kaluan dy herë në avantazh, belgët barazuan po aq herë, ndërsa për t’u theksuar është edhe kartoni i kuq për Dele Alli nga fundi i 45-minutëshit të parë. Kualifikohet edhe skuadra tjetër belge, Genk, që mposhti 1-0 rumunët e Astrës, me të cilët kishte barazuar 2-2 në ndeshjen e parë.

Një rezultat më shumë sesa tenistik ka sigluar Lioni në Francë kundër holandezëve të AZ Alkmaarit, me këta të fundit që ishin mposhtur edhe në shtëpinë e tyre 4-1. Edhe për rusët e Rostovit, që vijnë si kampionë në fuqi të Rusisë, nuk ishte problem barazimi 1-1 në Çeki me Spartën e Pragës, pasi i kishte mposhtur çekët 4-0 në takimin e parë. Në barazim pa gola u mbyll edhe sfida mes Kopenhagenit dhe Ludogoretsit, me danezët që kualifikohen më tej si pasojë e fitores 2-1 në Bullgari.

I vetmi takim që nuk është mbyllur brenda 180 minutave është ai mes ukrainasve të Shakhtarit dhe spanjollëve të Celta Vigos, për shkak se të dyja skuadrat udhëtuese fituan minimalisht 1-0 në ndeshjet respektive. Janë dashur kohët shtesë, për të përcaktuar të kualifikuarin e fundit për në 1/8-at e Europa League, me Celtën që shënoi edhe golin e dytë.

Top Channel